Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë. Çdo ditë raportohen raste të ndryshme, ku përfshihen burra e gra, prindërit e fëmijët. Kështu ndodhi së fundmi në një familje në Podujevë.
Një rast tjetër i dhunës në familje është regjistruar më 7 qershor në fshatin Lladoc të Podujevës, ku një grua dhe vajza e saj 6-vjeçare kanë raportuar në polici se janë sulmuar fizikisht nga bashkëshorti dhe babai i tyre, H.H., 64 vjeçar.
Sipas burimeve të Gazetës Sinjali, viktima S.A, 44 vjeçare, së bashku me vajzën, është paraqitur në stacionin policor rreth orës 18:00, ku ka rrëfyer se rreth orës 15:00 është përballur me dhunë brutale në familje. Ajo dhe e mitura kanë marrë ndihmën e parë mjekësore dhe më pas janë intervistuar në prani të zyrtarit të Qendrës për Punë Sociale.
I dyshuari H.H është intervistuar nga policia dhe ka pranuar aktin e dhunës ndaj bashkëshortes dhe vajzës. Megjithë pranimin e fajësisë, me urdhër të Prokurores së Shtetit nga Departamenti i Përgjithshëm për Dhunën në Familje në PTH Prishtinë, rasti është iniciuar si “Dhuna në familje” dhe i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Rasti mbetet nën hetime.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!