image E rëndë në Pejë | Burri e rrahu pse nuk ia dha telefonin, 21-vjeçarja me katër fëmijët strehohet në Shtëpinë e Sigurt

Siguri

E rëndë në Pejë | Burri e rrahu pse nuk ia dha telefonin, 21-vjeçarja me katër fëmijët strehohet në Shtëpinë e Sigurt

news image

Një rast i rëndë i dhunës në familje është raportuar në Pejë, ku një 26-vjeçar dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj bashkëshortes së tij, duke bërë që ajo të largohet nga shtëpia së bashku me katër fëmijët, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur pasditen e 7 korrikut, rreth orës 16:50, në rrugën “Gusia” në Pejë.

I dyshuari është A. Sh., rreth 27-vjeçar, ndërsa viktimë F. Sh., rreth 21-vjeçar.

Sipas burimeve, konflikti ka nisur derisa e reja ishte duke biseduar në telefon. Bashkëshorti i saj ka tentuar t’ia marrë telefonin celular nga dora, e pasi ajo ka refuzuar, ai dyshohet se e ka sulmuar fizikisht, duke e goditur, fyer dhe sharë atë, si dhe familjarët e saj.

Në përpjekje për të qetësuar situatën ka ndërhyrë edhe vjehrra e viktimës, e cila më pas ka njoftuar Policinë.

Edhe pse nuk kishte lëndime të dukshme dhe refuzoi trajtimin mjekësor, viktima ka deklaruar se ka frikë nga bashkëshorti i saj dhe se nuk dëshiron të kthehet më në shtëpinë bashkëshortore.

Pasi nuk kishte familjarë ku të strehohej, me asistimin e Policisë dhe një punëtori të Qendrës për Punë Sociale, ajo ka shkuar në banesë, ka marrë katër fëmijët dhe sendet personale, për t’u sistemuar më pas në Shtëpinë e Sigurt, së bashku me fëmijët.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar ndalimin për 48 orë të të dyshuarit. Për rastin është njoftuar edhe Mbrojtësi i Viktimave, ndërsa hetimet janë në vazhdim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/