Numri i rasteve të dhunës në familje ka marrë përmasa shqetësuese në vendin tonë, pasi çdo ditë persona të ndryshëm përfundojnë në pranga si të dyshuar për dhunë ndaj familjarëve. Këto raste bëhen edhe më të rënda, kur viktima janë prindërit të cilët përjetojnë dhunë psikike e fizike nga fëmijët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë i dhunës në familje është raportuar më 19 maj 2025 në fshatin Drenoc të Komunës së Malishevës, ku një e dyshuar 28-vjeçare, me probleme të theksuara të shëndetit mendor, dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj nënës së saj.
Sipas burimeve të Sinjalit, QKMF Malishevë njoftoi Policinë pasi viktima M.K., 54 vjeçare kërkoi tretman mjekësor si pasojë e lëndimeve të marra nga vajza e saj, e dyshuara Sh.K.28 vjeçare.
Sipas dëshmisë së viktimës, e dyshuara vuan nga çrregullime psikike që prej më shumë se një viti e gjysmë dhe është nën terapi të rregullt. Ajo kohë pas kohe manifeston sjellje agresive ndaj anëtarëve të familjes, si dhe ka deklaruar për tentativa vetëvrasjeje.
Incidenti i fundit ndodhi kur e dyshuara kërkoi të dalë jashtë dhe të punojë, por pas një përplasjeje verbale tentoi të sulmojë vëllain dhe më pas sulmoi nënën, duke e goditur me grushte dhe shuplaka.
Policia i është përgjigjur rastit menjëherë dhe ka shoqëruar palët në stacionin policor. Prokurori kujdestar ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarës për 48 orë dhe inicimin e rastit për veprën penale “Dhunë në Familje”, në procedurë të shpejtë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!