Jo rrallëherë fëmijët janë viktima të dhunës qoftë nga prindërit e tyre apo edhe anëtarë të tjerë të familjes. Në shumicën e këtyre rasteve, fëmijët janë edhe të moshës së mitur, ndaj të cilëve ushtrohet dhunë fizike e psikike, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në një familje në Malishevë, ku Policia arrestoi një person, i cili dyshohet për dhunë në familje.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur të mërkurën, rreth orës 18:55, në fshatin Terpezë e Poshtme, ku i dyshuari, një 47-vjeçar, kishte shkuar në shtëpi në gjendje të dehur dhe më pas ushtroi dhunë ndaj së bijës.
E reja, 26-vjeçare, ka raportuar se është shtyrë dhe sulmuar fizikisht, për çka ka pësuar lëndime trupore, të cilat kanë kërkuar trajtim mjekësor. Pas marrjes së ndihmës, ajo është intervistuar nga hetuesit policorë, ku ka dhënë detaje mbi ngjarjen.
Më pas, 47-vjeçari është shoqëruar në Stacionin Policor të Malishevës, ku në intervistim ka pranuar veprimin e tij, duke pohuar se e kishte shtyrë të bijën.
Lidhur me rastin, është kontaktuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për 48 orë dhe inicimin e rastit si “Dhuna në familje”.
Ndërkohë, viktima është kthyer në shtëpi me dëshirën e saj.
Sinjali do të vijojë të raportojë mbi këtë rast dhe çdo tjetër ku dhuna në familje kërkon përgjigje të menjëhershme ligjore dhe morale.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!