Një 20-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e incidentit të rëndë që ndodhi sot në Rrugën A në Prishtinë, ku një kran u shemb në një vendpunishte.
Viktima nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra, ndërsa nga Qendra e Mjekësisë Urgjente kanë konfirmuar se i riu ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes.
Nga incidenti ka mbetur i lënduar edhe një person tjetër, i cili është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për trajtim mjekësor.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, konfirmoi se dy persona pësuan lëndime trupore dhe u dërguan për trajtim mjekësor. Sipas tij, njëri prej tyre nuk arriti t’u mbijetonte plagëve dhe vdekja iu konstatua nga ekipi mjekësor në QKUK.
Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme, ndërsa njësitet relevante, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.
“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se dy persona kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor. Si pasojë e lëndimeve, njëri nga ta nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve dhe ka ndërruar jetë.
Vdekja e tij është konstatuar nga ekipa mjekësore në QKUK. Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme. Aktualisht, njësitet relevante policore, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë filluar hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit,” tha ai.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!