Një operacion tejet i rrallë dhe i ndjeshëm u krye para disa ditësh në sallën operative të Klinikës Emergjente, të Qendres Klinike dhe Universitare.
Bëhet fjalë për rastin e A.R, 36-vjeçar i cili kishte pësuar një aksident të rëndë.
Ai e kishte prerë gati krejt krahun e djathtë me xham në shtëpi.
“Mjekët kirurgë, me punë ekipore, (ekipa e Kirugjisë Vaskulare që e udhëheqi operimin, e Kirurgjisë Plastike dhe Rekonstruktive dhe ekipa e Neurokirurgjisë), bashkë me Anesteziologë dhe pjesën tjetër të ekipit operativ, kanë kryer operimin te një pacient i moshës 36 vjeç, duke i realizuar dy bypasse (urëzime), në pjesën e mesme të arteries brahiale dhe venës basilica të djathtë, (arterie kryesore që ushqen dorën me gjak dhe vena sipërfaqsore, e cila e kthen gjakun në zemër)”, thuhet në njoftimin e Shërbimit Spitalor, Klinik dhe Universitar të Kosovës.
“Si graft për rekostrukcion të enëve të lëndura, ekipa përdori venën sipërfaqësore të këmbës së djathtë; (Vena saphena magna). Po ashtu ekipa operative, kishte përkujdesur dy venat brahiale dhe kishte bërë hemostazë korrekte. Ekipa e Neurokirurgjisë e bëri qepjen e nervit të dorës, ndërsa ekipa e Kirurgjisë Plastike, bëri qepjen e muskujve dhe të tendinave”.
“Pas operacionit janë kryer ekzaminimet kontrolluese, ku është konstatuar se intervenimi kirurgjik ishte kryer me sukses të plotë dhe pacienti pas 6 ditë hospitalizimi në Kirurgji Vaskulare, u lirua në shtëpi në gjendje shumë të mirë shëndetësore”.