image E plagosi vetëm pse i ra borisë në kolonë, 1 muaj paraburgim për burrin nga Prizreni

Drejtësi

E plagosi vetëm pse i ra borisë në kolonë, 1 muaj paraburgim për burrin nga Prizreni

news image

Një mosmarrëveshje në komunikacion përfundoi me plagosje më 10 janar. Në qytetin e Prizrenit. Pas një konfrontimi në trafik, Lekë Veseli dyshohet se plagosi Bekim Gashin.

Veselit tashmë i është caktuar masa e paraburgimit për shkak të dyshimit se ka kryer veprat penale “vrasja në tentativë” dhe “mbajtja në pronësi të paautorizuar të armëve”.

Si ndodhi ngjarja?

Sipas gjykatës “më datë 10 janar, në orët e mesditës, në Prizren, i pandehuri L.V:, tenton ta privojë nga jeta të dëmtuarin B.G., në atë mënyrë që derisa viktima ishte në automjetin e tij së bashku me familjarë, si rezultat i ngarkesës së trafikut rrugor ishte krijuar kolonë e veturave, i dëmtuari pasi që ishte i rreshtuar pas veturës së të pandehurit i bie borisë disa herë për ta sinjalizuar të pandehurin që të lëvizë dhe ta lirojë rrugën.

Në atë moment në fjalosje e sipër, i pandehuri nga automjeti i tij, e merr një pistoletë në dorë dhe kthehet tek vetura e të dëmtuarit dhe pas shkëmbimit të serishëm të disa fjalëve, fillimisht me dorezën e pistoletës e godet të dëmtuarin B.G., në kokë, me ç ’rast i dëmtuari B.G., i vërsulet të pandehurit L.V., duke tentuar t’ia tërheq pistoletën nga dora dhe në atë moment i pandehuri shkrep një herë me pistoletë duke e plagosur viktimën në këmbën e tij të majtë, derisa viktima, ndonëse i plagosur, vazhdon t’ia mbajë duart të njëjtit për të mos shkrepur edhe më tej.

Policia ka arritur në vendin e ngjarjes, me ç ’rast edhe e arrestojnë të pandehurin, ndërsa viktima si rezultat i armës së zjarrit ka pësuar lëndime trupore në kokë dhe në këmbën e tij të majtë”.

Lekë Veseli dyshohet se armën e zjarrit e ka mbajtur pa autorizim, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm për armët e tilla. Arma që iu sekuestrua atij ishte me mbishkrimin ‘’Astra UNCETA CIA S.A Gverina Spain Mod-A-80’’, me një karikator dhe 11 fishekë të kalibrit 9mm.

Në njoftimin e Gjykatës thuhet se i dyshuari është kryerës i shumëfishtë i veprave tjera penale kryesisht vepra penale të dhunës.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/