image "E papranueshme që Albin Kurti votoi sot në Shqipëri si kryeministër i Kosovës"

Politikë

“E papranueshme që Albin Kurti votoi sot në Shqipëri si kryeministër i Kosovës”

news image

Eugen Cakolli nga Instituti i Kosovës për Demokraci e ka cilësuar të papranueshëm faktin që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë si votues në zgjedhjet që po mbahen në Shqipëri.

Ai ka thënë se nuk është aspak në rregull që dikush që ka pushtet ekzekutiv të votojë në zgjedhjet e një vendi tjetër.

“Kur dikush në cilësinë e qytetarit të thjeshtë, voton në zgjedhjet e një vendi tjetër, është deri diku e pranueshme. Por, kur qytetari është dikush që mbart pozitë politike, e madje pushtet ekzekutiv, kjo s’është aspak në rregull”, ka shkruar ai.

“E kur qytetari rastis të jetë kryeministër, që përfaqëson edhe platformë politike për zgjedhjet në vendin tjetër, kjo e bën situatën të papranueshme”, ka shtuar Cakolli.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, votoi në zgjedhjet e sotme në Shqipëri pak pasi u hapën vendvotimet, ndërsa i ka ftuar qytetarët e Shqipërisë që ta bëjnë të njëjtën gjë.

/GazetaSinjali/