image E konfirmon Rizvanolli: Blloku A3 është kthyer në punë, A4 kthehet në fillim të tetorit

Financa

E konfirmon Rizvanolli: Blloku A3 është kthyer në punë, A4 kthehet në fillim të tetorit

news image

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka vizituar sot Termocentralin Kosova A në KEK.

Ajo tha se blloku A3 është kthyer në punë para afatit, derisa njoftoi se blloku A4 pritet të kthehet në operim në ditët e para të tetorit.

“Ne e kishim planifikuar vizitën qysh prej të premtes, sepse dëshironim të vinim të shohim se si është situata, se si po shkojnë riparimet edhe remonti kapital në bllokun A4 edhe riparimet pas rënies së befasishme të bllokut A3. Dhe ne u befasuam për së miri, kur sot dëgjuam në mëngjes që blloku A3 është rikthyer falë punës së pandalur dhe gjatë gjithë natës dhe ditës të punëtorëve dhe udhëheqësve të njësive. Për këtë jemi pafundësisht falënderues.”

“Siç u informuam edhe direkt nga stafi, njësi A4 pritet të kthehet në operim më së largu në ditët e para të tetorit, mirëpo punëtorët dhe udhëheqësit janë duke bërë gjithçka që është e mundur që kjo kohë të shkurtohet edhe më tej, siç është shkurtuar koha e kthimit të A3-shit, e cili fillimisht ka qenë e paraparë që të kthehet pas dy ditësh, por është kthyer sot”, tha Rizvanolli para mediave.

Tutje, Ministrja e Ekonomisë ka përmendur edhe krizën energjetike që ka kapluar Evropën, dhe kërkoi që qytetarët ta ulin sa më shumë konsumin e energjisë elektrike.

“Është një fakt tanimë i ditur që Evropa po kalon në një situatë, në një krizë të paprecedentë energjetike, e cila është vështirësuar edhe më tej për shkak të luftës në Ukrainë dhe që ne si shtet varemi kryekëput prej disa faktorëve, njëri është niveli i prodhimit të KEK-ut dhe siguria e furnizimit që na ofron KEK-u. Mirëpo, ne në një masë varemi dhe do të ndikohemi edhe nga çmimet e importit, në masën që ne kemi nevojë për import. Andaj është tejet e rëndësishme që secili prej nesh të bëjë maksimumin që të mundohemi të ulim sa më shumë konsumin e energjisë elektrike, sepse kjo do të mundësojë një furnizim më të rregullt dhe do të mundësojë në një masë edhe ndryshimin eventuale në çmimet e energjisë. Kemi filluar me masa detyruese të kursimit për sektorin publik duke konsideruar që ne si institucionet duhet të jemi shembull për kursim të energjisë duke u siguruar që ndriçimi që përdorim është led, efecient, duke u siguruar që secili prej nesh i fikim pajisjet e dritave atëherë kur nuk na duhet, etj. Shpresojmë dhe lusim qytetarët dhe bizneset të njëjtën ta bëjnë edhe ata”, tha ministrja e Ekonomisë.

/GazetaSinjali/