image E konfirmon avokati, Fadil Kodra insiston të dalë në zyrë deri në një vendim tjetër, akuzon Sveçlën

Siguri

E konfirmon avokati, Fadil Kodra insiston të dalë në zyrë deri në një vendim tjetër, akuzon Sveçlën

news image

Gazeta Sinjali sonte raportoi se si Fadil Kodra që u shkarkua nga pozita e drejtorit të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave, po e sfidon vendimin për lirimin nga detyra të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla. Kodra u paraqit sot në objektin e këtij institucioni, por iu pamundësua hyrja në zyrën e tij. Kjo e bëri që ta njoftojë Policinë, për çka tashmë ka dhënë deklaratë në stacion policor.

Këtë e ka bërë të ditur për Sinjalin avokati i tij, Faton Fetahu, i cili e konfirmoi se Kodra s’është lejuar që të hyjë në zyrën e tij, prandaj e kanë raportuar rastin dhe Policia ka dalë në vendin e ngjarjes. 

Fetahu tha se Kodrën e kanë penguar tre persona, të cilët i kanë denoncuar, pasi qëllimi i tyre sipas tij është që ai të pengohet për të hyrë në zyrën e tij.

“Kodra ka shkuar sot në zyrë, është pengu në ushtrimin e detyrave dhe funksioneve të tij zyrtare. Kjo është vepër penale dhe meqenëse është penguar për të hyrë në zyrën e tij, unë i thash që rasti duhet të raportohet në Polici. Ne e kemi pritë Policinë derisa ka ardhë dhe më herët kemi dhënë deklaratë në stacion policor për pengimin e zotri Kodrës nga ana e menaxhmentit të ri, të paligjshëm, të emëruar nga zotri Sveçla. Qëllimi është me pengu që ai mos me ardhë në zyrë. Ne i kemi denoncuar tre persona që kanë qenë aty në kryerjen e kësaj vepre”, tha Fetahu për Sinjalin.

Ai tutje u shpreh se Kodra është viktimë e sistemit, pasi po luftohet përkundër që ka të drejtë të ushtrojë detyrat e tij derisa të përfundojë ky procesi i ankimimit.

“Kodra është intervistuar në Polici në cilësinë e ankuesit, drejtorit për rastin që është penguar të ushtrojë detyrat e tij zyrtare. Zotri Kodra do të duhej të ushtronte funksionet derisa të merret një vendim përfundimtar në shkallët administrative, e që është Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës. Kodra është viktimë e këtij sistemi, që po e luftojnë”, shtoi ai.

Sipas tij, Kodra disa herë ka shkuar në zyrë pas vendimit të marrë, por tek sot është penguar dhe rastin e kanë denoncuar. Ai tha se në zyrë Kodra ka pasur dokumente zyrtare, të cilat nuk kanë informacione nëse janë prekur apo çfarë ka ndodhur me to.

Ndryshe, Sinjali raportoi se Kodra është paraqitur sot te objekti i AME-së, duke tentuar që të futet në zyrën e tij, të cilës paraprakisht nga institucioni i ishte ndërruar cilindri i derës. Në pamundësi për të hyrë brenda zyrës, me pretendimin se dikush kundërligjshëm ka bërë ndërrimin e cilindrit të derës, ai ka njoftuar Policinë e Kosovës. 

/GazetaSinjali/