Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen ngjarje të tilla ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike kryesisht nga bashkëshortët e tyre, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë me elemente të kanosjes serioze është raportuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Prishtinë, mëson Gazeta Sinjali.
Viktima, V.K., 26 vjeçare, është paraqitur në Stacionin Policor – Veriu, ku ka deklaruar se gjatë një debati me bashkëjetuesin e saj, A.M., 27 vjeçar, e ka kërkuar ndarjen, por i dyshuari ka reaguar në mënyrë të dhunshme duke e kërcënuar me vrasje, si dhe me marrjen e vajzës së tyre të mitur.
“Ka thënë se do të më vrasë, se do ta marrë vajzën dhe se i kam një gjak borxh”, ka thënë ajo në deklaratën dhënë hetuesve.
Të dy palët janë intervistuar në stacion, ndërsa Prokurori Kujdestar ka urdhëruar inicimin e rastit si “Dhunë në familje – Kanosje” dhe ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për 48 orë.
Hetimet janë në vazhdim dhe Sinjali do të sjellë detaje të reja sapo të konfirmohen nga autoritetet.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!