Një rast i dhunës në familje është raportuar pasditen e së premtes në rrugën “UCK” në Pejë, ku një grua ka pësuar lëndime trupore pas një sulmi fizik, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të Sinjalit bëjnë me dije se viktima, B.D, 24-vjeçare ka deklaruar në polici se është sulmuar nga familjari i saj Musa Shala, 60-vjeçar i cili e ka kapur për fyti dhe nga duart, duke i shkaktuar lëndime në qafë dhe gërvishtje në duar.
Menjëherë pas raportimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë dy patrulla policore, të cilat kanë shoqëruar ndaras palët në Stacionin Policor të Pejës për intervistim nga njësia e hetimeve.
Viktima ka marrë trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Pejës, ndërsa pas intervistimit është kthyer në banesën e saj. Nga ana tjetër, i dyshuari është intervistuar nga hetuesi për dhunë në familje.
Me urdhër të Prokurores Kujdestare të Shtetit, ndaj të dyshuarit është iniciuar hetim penal për veprën “Dhunë në familje”, ndërsa është liruar në procedurë të rregullt.
Hetimet për rastin janë në vazhdim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.