Një rast që ngre pikëpyetje serioze për respektimin e vendimeve gjyqësore është hapur në Prishtinë, ku një grua dyshohet se ka shpërfillur urdhrin mbrojtës të lëshuar nga Gjykata dhe ka vazhduar veprimet e ndaluara ndaj ish-bashkëshortit të saj, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për D. B, ndaj së cilës është iniciuar procedurë penale për veprën “Mosrespektimi i Vendimit të Gjykatës”.
Sipas informacioneve të siguruara, ish-bashkëshorti i saj, A. A, ka raportuar në Polici se pavarësisht ekzistimit të një urdhri mbrojtës aktiv të Gjykatës Themelore në Prishtinë, e dyshuara kishte vazhduar me sjellje dhe veprime që bien në kundërshtim me kufizimet e përcaktuara nga ky vendim.
Pas verifikimeve dhe konsultimeve me Prokuroren kujdestare për rastet e dhunës në familje, është autorizuar hapja e rastit penal.
Sinjali mëson se tashmë janë duke u mbledhur prova dhe dëshmi për të përcaktuar nëse urdhri mbrojtës është shkelur dhe në çfarë forme janë kryer veprimet e dyshuara.
Rasti është nën hetim dhe pritet të trajtohet në procedurë të rregullt nga organet kompetente.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!