image E goditi me veturë një person dhe iku pa e ndihmuar, ky është i dyshuari nga Peja që u kap pas një jave

Siguri

E goditi me veturë një person dhe iku pa e ndihmuar, ky është i dyshuari nga Peja që u kap pas një jave

news image

Pas një jave në arrati, Policia e Kosovës ka arrestuar personin e dyshuar që goditi me automjet një person në rrugën “Hasan Prishtina” në Pejë dhe iku nga vendi i ngjarjes. I dyshuari është arrestuar gjatë ditës së djeshme dhe sipas burimeve të Sinjalit bëhet fjalë për Alfred Pjetrajn (39-vjeçar), ndaj të cilit fillimisht kishin nisur hetimet për sulm, por rasti më pas është ricilësuar.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se ai po dyshohet se e ka goditur me veturë një burrë, të cilit i ka shkaktuar lëndime trupore dhe më pas u largua pa ia dhënë ndihmën e parë dhe pa njoftuar Policinë.

Pas identifikimit, zyrtarët policorë u aktivuan dhe e arrestuan, e më pas e shoqëruan në stacion policor për t’u intervistuar në lidhje me rastin.

Ndaj tij, Sinjali mëson se Prokurori i Shtetit ka urdhëruar nisjen e hetimeve për veprat penale  “Rrezikimi i trafikut publik” dhe  ”Mosdhënia e ndihmës personit të lënduar  në fatkeqësinë e trafikut publik“.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. 

/GazetaSinjali/