FC Ballkani ka shitur të gjitha biletat për duelin ndaj klubit turk Sivasspor që zhvillohet të enjten, ka mësuar Gazeta Sinjali Sport.
Klubi suharekas triumfoi në ndeshjen e parë të zhvilluar në Turqi, duke e arritur fitoren e parë në grupe pasi mposhti klubin turk me rezultat 4-3.
Kjo fitore iu mundësoi ‘Portokallinjtëve’ që të pozicionohen si liderë të grupit, me pikë të njëjta me tri skuadrat e tjera, Slavia Praga, Sivasspor dhe Cluj, por numri më i lartë i golave të shënuar ka bërë që ata të kenë lidershipin, raporton Sinjali Sport.
Mundësitë e mira tani për kalimin e grupeve të Ballkanit, kanë entuziasmuar tifozët kosovarë, duke u interesuar për blerjen e biletave në mënyrë masovike, duke u shitur në kohë rekord.
Stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë i stërmbushur me kapacitetin e plotë, pasi Sinjali Sport ka mësuar se tashmë të gjitha biletat janë shitur dhe se nuk ka asnjë të lirë të vetme.
Dueli zhvillohet të enjten me fillim nga ora 21:00, dhe me një fitore potenciale, Ballkani do t’i rriste gjasat edhe më shumë për kalimin e grupeve.