Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste të grave që përjetojnë dhunë në forma të ndryshme nga personat të cilët i kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, raporton Gazeta Sinjali.
Ndihmën e Policisë e ka kërkuar mbrëmë edhe një grua në Fushë Kosovë, e cila e ka raportuar bashkëshortin e saj për dhunë e kanosje.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije për Sinjalin se viktima ka deklaruar se burri i saj ka ushtruar dhunë psikike dhe e ka kërcënuar seriozisht, pas një mosmarrëveshje që kanë pasur mes vete.
Sinjali mëson se i dyshuari e ka kanosur viktimën, duke iu drejtuar me fjalët “masakër kam me bo, me të pre e me të gri”.
Përballë kësaj situate, e shqetësuar dhe frikësuar se mund t’i ndodhë diçka më e keqe, viktima e ka denoncuar rastin.
Si rezultat, i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me veprën me të cilën ngarkohet.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit dhe inicimin e rastit për veprën penale “Dhunë në familje”.