E fejuara e Paulo Dybalës, Oriana Sabatini ka njoftuar nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale se i është nënshtruar sërish testit për koronavirusin dhe ka rezultuar sërish pozitiv, ndonëse tre ditë më parë kishte rezultuar negative.
“Bëra tamponin sërish dhe rezultoi se isha pozitive, ndërkohë që tre ditë më parë kisha rezultuar negative. Nuk e di të them nëse më është kthyer sërish virusi, apo ai test negative i pak ditëve më parë, ishte i rremë. Kjo shpjegon se sa pak dimë për këtë virus”, shkroi Oriana.
Më pas e fejuara e sulmuesit të Juventusit siguroi fansat se të dy nuk kanë simptoma nga sëmundja dhe janë në gjendje shumë të mirë shëndetësore, ndërsa përsëriti edhe thirrjen për të qëndruar brenda.
“Lajmi i mirë është që si unë, ashtu edhe Paulo, tani jemi asimptomatikë dhe në gjendje shumë të mirë shëndetësore. Gjithsesi po vazhdojmë të rrimë në shtëpi, tani me dyshimin se 15 ditë nuk mjaftojnë për t’i shpëtuar këtij virusi. Nuk dua të alarmoj askënd, por virusi “fluturon” nëpër botë dhe shpresoj që eksperienca ime të ndihmojë sadopak. Vijoni të qëndroni në shtëpi dhe të respektoni këshillat e autoriteteve”, tha ndër të tjera e fejuara e Dybalës.