image E dhimbshme: Ndërron jetë kameramani i njohur nga Ferizaj

Sociale

E dhimbshme: Ndërron jetë kameramani i njohur nga Ferizaj

news image

Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, ka njoftuar për vdekjen e kameramanit të njohur Isak Ilazi.

Aliu e ka quajtur Ilazin veteran të kamerës, teksa thekson se kameramani e dokumentoi qytetin e tij Ferizajn.

“Janë të zbrazta ditët që na presin pa ty. Për familjen, për ne dhe për kolegët tu. Ishim mësuar të takoheshim shpesh në ngjarje e aktivitete të ndryshme, ku gjithmonë të gjenim pa përtesë në punën tënde fisnike”, shkruan Aliu ndër të tjera.

Postimi i tij i plotë:

Lajm i kobshëm nisi ditën sot, me ndarjen nga jeta të veteranit të kamerës, bashkëqytetarit tonë shembullor, gjithnjë energjik e i buzëqeshur, mjeshtrit të kamerës dhe punonjësit shumëvjeçar në media, bacës Isak Ilazi.

Na tronditi thellë, ikja jote baca Isak. Jemi me plagë në zemër që më nuk do të kemi në mesin tonë, i disponuar, i qeshur, energjik, plot vullnet e përkushtim për jetën e profesionin, ashtu siç ti jetove gjithmonë baca Isak. I dhe lamtumirën kësaj bote, Ferizajt tënd të cilit i kushtove gjithë jetën për ta dokumentuar atë si në të mira ashtu edhe në vështirësi.

Janë të zbrazta ditët që na presin pa ty. Për familjen, për ne dhe për kolegët tu. Ishim mësuar të takoheshim shpesh në ngjarje e aktivitete të ndryshme, ku gjithmonë të gjenim pa përtesë në punën tënde fisnike.

Lamtumirë Isak Ilazi, ti që i mbylle sytë përgjithmonë, me lamtumirën që i dhe kësaj bote vdekatare, por që me punën tënde do të jetosh në zemrën e mendjen e ferizajasve gjithmonë.

Mes lotësh e pikëllimit pa fund, gjithësecili që e njohëm, po i japim lamtumirën qytetarit të rrallë nga familje me vlera të larta patriotike, shembullit të dashurisë e punës pa kursim në profesion, të papërsëritshmit tonë, Isak Ilazi.

Ngushëllime të sinqerta familjes së nderuar Ilazi, kolegëve të mediave, miqve e të njohurve të të ndjerit!

Qoftë i parajsës shpirti i tij i bardhë!

/GazetaSinjali/