Është ndarë nga jeta në moshë të re Asdren Hajdari nga fshati Dritan (ish-Dobroshec) i Drenasit. Lajmin për vdekjen e tij e kanë bërë të ditur shkolla e vendlindjes dhe një faqe e këtij fshati në “Facebook”.
“Me pikëllim të madh e morëm lajmin se paska ndërruar jetë ish-nxënësi ynë, Asdren Sh. Hajdari. Asdrenin e kujtojmë si një nxënës shembullor dhe mik të vyer të shkollës sonë. Humbja e tij i ka prekur thellë zemrat e të gjithëve që e patën fatin ta njohin dhe ta kenë pranë” – thuhet në një telegram ngushëllimi të publikuar në “Facebook”, në faqen e Shkollës Fillore dhe të Mesme të Ulët “Rilindja” në Dritan, ku i riu i kishte ndjekur mësimet.
“Asdreni shquhej për inteligjencën e tij, përkushtimin dhe vullnetin e palodhur për të arritur qëllimet që vendoste përpara. Ai ishte shembull për shokët e tij dhe një burim krenarie për mësuesit dhe familjen. Kujtojmë buzëqeshjen e tij të sinqertë, përshëndetjet e ngrohta dhe shpirtin e mirë që përcillte kudo” – thuhet më tej në telegramin e ngushëllimit.
“Në emër të gjithë stafit të shkollës dhe nxënësve, shprehim ngushëllimet tona më të sinqerta për familjen Hajdari në këtë kohë dhimbje! Kujtimi i Asdrenit do të jetojë përgjithmonë mes nesh” – përmbyllet telegrami i ngushëllimit.
Në një faqe të fshatit Dritan në rrjetin “Facebook” thuhet se varrimi i të riut do të bëhet sot (e martë), 29.10.2024, në orën 14:00, në varrezat e lagjes Hajdari në Dritan.