Muajve të fundit ka pasur disa raste tragjike të vdekjeve të punëtorëve si pasojë e lëndimeve në vendet e punës. Pakujdesia dhe kushtet nëpër kompanitë private janë disa prej shkaktarëve të këtyre rasteve fatale. Gazeta Sinjali ka raportuar sot për një ngjarje të tillë dhe mjaft të rëndë sot në fshatin Studençan të Suharekës, ku një person ka humbur jetën si pasojë e lëndimeve të marra në vendin e tij të punës.
Burimet nga Emergjenca kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Nusret Mustafën, 51-vjeçar, i cili vdiq pasi e zuri makina të cilën po e testonte në gurthyesin ‘Flori’ ku po punonte. Pavarësisht se kolegët e tij intervenuan menjëherë ta ndalin makinerinë, ai humbi jetën në vend.
I ndjeri është dërguar në Emergjencën e Suharekës pa shenja jete, ku ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e tij, teksa në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitë përkatëse.
Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar edhe Policia Rajonale në Prizren dhe kanë njoftuar se me urdhër të Prokurorit të Shtetit trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion.