Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmë pas mesnatës në rrugën Kllokot – Viti, ku për pasojë një person ka humbur jetën dhe një tjetër ka mbetur i lënduar. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore dhe ekipet emergjente, të cilët kanë konfirmuar vdekjen e viktimës, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se i riu që humbi jetën në këtë aksident është Besnik Kurteshi nga Vitia.
Sipas informacioneve të para, Kurteshi ishte pasagjer në një veturë e cila u vetaksidentua rreth orës 01:15 mëngjesin e hershëm të së premtes.
Vdekjen e tij e konstatuan ekipet mjekësore në vendin e ngjarjes, ndërsa shoferi i veturës i cili ka mbetur i lënduar është duke u trajtuar në Spitalin e Gjilanit.
Sinjali ka raportuar se shoferi i veturës ka humbur kontrollin, me ç’rast ka dalë jashtë rrugës dhe vetura është rrotulluar.
Me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar në IML për obduksion, ndërkaq shoferi i veturës do të dërgohet në mbajtje.
Rasti është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.