Anna Kraevskaya, modelja nga Ukraina, e cila jetonte në Zvicër, ka mbetur po ashtu e vdekur në aksidentin tragjik në Itali, ku humbi jetën edhe kosovari Hysni Qestaj, raporton Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali ka raportuar dje se në veturë me kosovarin në momentin tragjik dyshohet se ishte edhe një grua, e cila del të jetë ukrainasja Kraevskaya.
E fundit dhe Qestaj nga kantoni Vaud i Zvicrës vdiqën tragjikisht në aksidentin e rëndë me Ferrari të dielën në Italinë veriore.
Vetura në të cilën ishin dyshja u bë copa, copa dhe më pas u përfshi nga flakët.
Mediat italiane shkruajnë se Ferrari GT C4 i bardhë kishte qenë duke lëvizur me mbi 200 km/h kur ka rrëshqitur në rrugën e lagësht dhe është përplasur në anësore.
Derisa zjarrfikësve iu desh mjaft mund që ta nxirrnin viktimat e vdekura nga vetura.
Mediumi zviceran, Blick shkruante se 40-vjeçari të shtunën në mbrëmje – vetëm disa orë para vdekjes – ishte në një klub nate në kantonin e Valais dhe pas performancës më pas ishte nisur për në Itali me Ferrari.
Vëllai i të ndjerit ka treguar se vetura i përkiste atij.
“Është e vështirë ta shprehësh me fjalë këtë person të madh dhe pozitiv. Por nëse do të më duhej ta përshkruaja me një fjalë, do të thosha se ai ishte personi më i dashur që e kam njohur”, tha ai.
Vëllai i kosovarit të vdekur në aksident nuk e di se si ndodhi, kush po e drejtonte veturën dhe kush ishte viktima tjetër.
“Për momentin nuk kemi marrë shumë informacion nga policia. Vëllai im tjetër, i cili jeton në Itali, tani kujdeset për gjithçka”.
Gjithçka që ai di është se një test i ADN-së po pritet të bëhet. Sipas raportimeve të mediave italiane, identifikimi është i komplikuar pasi të vdekurit u dogjën në veturën që mori flakë.
Ndërkohë, policia e Settimo Torinese ka kontaktuar disa të afërm dhe u ka kërkuar atyre që të ndihmojnë në identifikimin e të vdekurve përmes analizës së ADN-së.
Vetë vëllai sapo kishte mbërritur në Suedi me familjen e tij, por tani po udhëton për në Zvicër, siç i tha Blick të hënën.
“Ne duam ta mbështesim gruan dhe fëmijët e tij. Ata janë në shtëpi në Zvicër”.