Një rast i dhunës në familje është raportuar të shtunën në Prishtinë, ku një grua ka deklaruar para Policisë se për një kohë të gjatë ka qenë subjekt i dhunës psikologjike dhe ofendimeve nga bashkëshorti i saj.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur në lagjen Lakrishte, në afërsi të objektit “Dukagjini Residence”, ndërsa rasti fillimisht është trajtuar nga Stacioni Policor në Lipjan dhe më pas është proceduar tek njësitet kompetente në Prishtinë.
Viktima, P.Sh, pas një konflikti familjar është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK. Gjatë intervistimit në cilësinë e viktimës dhe në praninë e mbrojtësit të viktimave, ajo ka deklaruar se bashkëshorti i saj, A. Sh., ushtron vazhdimisht presion psikologjik ndaj saj dhe e ofendon në mënyrë të përsëritur.
Lidhur me pretendimet e ngritura është intervistuar edhe i dyshuari, ndërsa pas përfundimit të procedurave policore, viktima është shoqëruar nga zyrtarët policorë deri te familja e saj në Ferizaj.
Me udhëzim të Prokurorit kompetent, rasti është iniciuar si “Dhunë në familje” dhe do të trajtohet në procedurë të rregullt. Hetimet për rastin janë në vazhdim.
Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!