image E denoncoi për dhunë psikike të vazhdueshme, burri përfundon në mbajtje 48-orëshe në Deçan

Siguri

E denoncoi për dhunë psikike të vazhdueshme, burri përfundon në mbajtje 48-orëshe në Deçan

news image

Një grua nga Deçani ka kërkuar ndihmën e Policisë, duke raportuar se po përballet me dhunë psikike të vazhdueshme nga bashkëshorti i saj, raporton Gazeta Sinjali.

Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se ngjarja është raportuar pasditen e 31 majit, kur viktima B. H. ka telefonuar Policinë dhe ka kërkuar ndërhyrje urgjente për shkak të problemeve me bashkëshortin e saj, B. O.

Pas pranimit të informacionit, patrulla policore ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar të dyshuarin në Stacionin Policor në Deçan.

Sipas burimeve, zyrtarët policorë kanë vërejtur se ai ishte nën ndikimin e alkoolit. Testi i alkoolit ka rezultuar me 1.20 promila, çka ka pamundësuar intervistimin e tij në atë fazë.

Ndërkohë, viktima është intervistuar nga hetuesit e dhunës në familje në prani të një punëtori social, ku ka deklaruar se për një kohë të gjatë është përballur me presion dhe dhunë psikike nga bashkëshorti, ndonëse sipas saj nuk kishte pasur dhunë fizike.

Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Dhunë në familje”.

Me vendim të prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet për rastin janë duke vazhduar.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/