image E 'bombardonte' qytetin me kokainë – kapet 35-vjeçari në Shqipëri

Shqipëri

E ‘bombardonte’ qytetin me kokainë – kapet 35-vjeçari në Shqipëri

news image

Operacionet kundër shpërndarjes së lëndëve narkotike po vazhdojnë me intensitet në Shqipëri, teksa një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve është zbuluar nga Policia në qytetin e Korçës, shkruan Gazeta Sinjali.

Policia e Shtetit bën të ditur se është finalizuar operacioni policor i koduar “Porosia”, i cili u ndoq me metoda speciale të hetimit. Objektivi i operacionit ishte një 35-vjeçar i identifikuar me inicialet D.L., i cili siguronte lëndë narkotike të fortë dhe e shpërndante atë në doza të vogla në lagje të ndryshme dhe ambiente lokalesh në qytet.

Sipas Policisë, gjatë kontrollit të automjetit dhe kontrollit fizik ndaj të dyshuarit, janë gjetur doza të lëndës narkotike të dyshuar si kokainë, të gatshme për shitje.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: lënda narkotike, tre aparate celularë dhe automjeti që shërbente për shpërndarje.

Postimi i plotë:

Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Porosia”, i ndjekur me metoda speciale të hetimit.

Siguronte droga të forta dhe më pas i shpërndante në doza në lagje dhe ambiente lokalesh në qytetin e Korçës, identifikohet, kapet dhe vihet në pranga një 35-vjeçar.

Sekuestrohet një sasi lënde e dyshuar narkotike Kokainë e ndarë në doza, gati për shitje.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, si rezultat i veprimeve hetimore të kryera me metoda proaktive, goditën një rast të kësaj veprimtarie kriminale të shpërndarjes së drogave të forta.

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe më pas kanë bërë bllokimin e rrugës duke ndaluar për kontroll në lagjen nr. 4 Korçë, automjetin që lëvizte shtetasi i dyshuar që ushtronte këtë veprimtari kriminale.

Gjatë kontrollit të automjetit dhe kontrollit fizik të ushtruar ndaj shtetasit D. L., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë e ndarë në doza, gati për shitje.

Lënda narkotike, tre aparatet celular dhe automjeti që ky shtetas përdorte për të shpërndarë lëndën narkotike u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Në përfundim të veprimeve procedurale, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit D. L., 35 vjeç, banues në Korçë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.

/GazetaSinjali/