image E bënë për spital një person, arrestohen dy të rinj në Drenas

Siguri

E bënë për spital një person, arrestohen dy të rinj në Drenas

news image

Përleshjet fizike në të cilat përfshihen të rinjtë janë të shpeshta në vendin tonë. Vazhdimisht raportohen raste në Polici, por edhe nga qytetarët për rrahje mes qytetarëve, të cilat në shumë raste kanë përfunduar tragjikisht. Kjo është shndërruar në një dukuri shqetësuese duke u rrezikuar kështu siguria publike, raporton Gazeta Sinjali.

Për shkak të lëndimeve trupore si pasojë e një sulmi fizik me të cilin u përball, mbrëmë një i ri ka përfunduar në spital.

Burimet e Gazetës Sinjali brenda Emergjencës së Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Drenas kanë bërë me dije se për shkak të natyrës së lëndimeve, 18-vjeçari është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ndërkohë rasti është denoncuar edhe në Polici, me ç’rast është arritur që të arrestohen dy personat që dyshohet se rrahën të riun.

Sinjali mëson se dy të dyshuarit, njëri nga ta i mitur, kanë sulmuar fizikisht viktimën pas një mosmarrëveshjeje që kishin mes tyre.

Pas arrestimit të dy janë shoqëruar në stacion ku janë intervistuar nga hetuesit policorë, ndërsa me urdhër të prokurorit ndaj tyre është iniciuar rasti ‘Lëndim i lehtë trupor’.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që dy të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit njërit në kohëzgjatje prej 24 orësh dhe tjetrit prej 48 orësh.

/GazetaSinjali/