Shkëmbimi i zjarrit në mes të Policisë dhe grupit të armatosur deri në “fyt” mëngjesin e sotëm në veri të vendit, dyshohet se ka rezultuar edhe me të plagosur nga ana e sulmuesve. Kështu kanë bërë me dije sinjalizues të Sinjalit nga veriu, por një gjë e tillë akoma nuk është konfirmuar nga organet e sigurisë.
Sipas sinjalizuesve, dyshohet se edhe një dron i Policisë së Kosovës është rrëzuar nga serbët, teksa për këto informacione nuk ka pasur një konfirmim zyrtar nga Kurti dhe zv/drejtori i Policisë që po mbajnë konferencë për media.
Sot Sinjali raportoi po ashtu se brenda në manastirin në Banjskë janë disa persona të maskuar e të armatosur, anëtarë të grupit kriminal që po kryen sulme ndaj Policisë, që sipas Kurti janë gjithsej 30.
Gjithçka dyshohet se nisi në orën 2:45 të mëngjesit, në Mitrovicë të veriut njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë janë vendosur dy mjetet të rënda kamion (pa targa) dhe hyrja në këtë fshat përmes urës nuk mund të bëhet, pasi e njëjta është bllokuar.
Njësitë e rendit të Stacionit Policor Zveqan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë mbërri në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë.
Njësitet policore në vetëmbrojtje i janë përgjigjur sulmit dhe kanë arritur që ta zmbrapsin sulmin fillestar për të krijuar kushte për dhënien e ndihmës dhe tërheqjen e policëve të qëlluar me armë zjarri.