Abuzimi me substanca narkotike nga të rinjtë mbetet një shqetësim i madh në shoqërinë kosovare. Edhe më shqetësues këtë dukuri e bën mungesa e trajtimit preventiv nga institucionet. Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike, shkruan Gazeta Sinjali.
Për një rast të tillë kanë rënë në prangat e Policisë mbrëmë tre persona në qytetin e Vushtrrisë.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se të rinjtë dyshohen për shitblerjen e narkotikëve dhe të njëjtit më pas janë kapur në flagrancë duke bërë gati për shpërndarje substancën e dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
Të dyshuarit janë arrestuar dhe janë shoqëruar në stacion policor, ndërsa narkotikët janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarve t’u caktohet masa e ndalimit policor nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’.