Dy persona janë arrestuar sot nga Policia e Kosovës, pasi të njëjtit dyshohet se janë përfshirë në disa rasteve të vjedhjeve të rënda në shtetin e Austrisë, raporton Gazeta Sinjali.
Përmes një komunikate për media, Policia njofton se rastet në fjalë kanë ndodhur në periudha të ndryshme kohore nga dhjetori i vitit të kaluar deri në janar të këtij viti.
“Puna e hetuesve rajonal, është finalizuar sot, ku pas marrjes së disa veprimeve operative në koordinim me Prokurorinë, Gjykatën Themelore dhe hetuesit nga Republika e Austrisë, kanë arrestuar dy personat e dyshuar: L.B. mashkull, 31 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe I. V. mashkull, 27 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë pjesë e aksioneve ka qenë edhe kontrolli i katër lokacioneve, ku nga hetuesit janë gjetur dhe sekuestruar stoli ari, 156 fishekë dhe 2 automjete.
“Personat e dyshuar pas intervistimit, me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje, ndërkohë që hetuesit janë në kërkim të personit të tretë të dyshuar i cili tash më është i identifikuar”, thuhet në njoftim.