Pesë automjete janë sekuestruar gjatë një aksioni të përbashkët të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Doganës së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, pas dyshimeve për falsifikim të dokumenteve gjatë procedurës së importimit.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, kontrollet janë kryer në shtëpinë e të pandehurve në Vushtrri, në kuadër të një hetimi penal për sigurimin e provave materiale.
Dyshohet se personat e përfshirë kanë falsifikuar dhe përdorur dokumente publike të automjeteve gjatë zhdoganimit, duke ndryshuar të dhënat në librezat koreane të veturave për vitin e regjistrimit të parë.
Sipas dyshimeve, në dokumente është ndryshuar viti i regjistrimit nga 2015 në 2016, me qëllim që automjetet të paraqiteshin si më të reja dhe të plotësonin kushtet ligjore për import në Kosovë.
Dokumentet e dyshuara si të falsifikuara janë përdorur gjatë procedurave doganore për pesë automjete, të cilat tashmë janë sekuestruar nga autoritetet.
Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet do të vazhdojnë në bashkëpunim me institucionet përkatëse, me qëllim zbardhjen e plotë të rastit dhe sigurimin e provave të tjera.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!