Varësia nga droga sa vjen e shtohet dhe kjo dëshmohet çdo ditë me kapjen dhe arrestimin e dhjetëra personave konsumues e shpërndarës të substancave narkotike. Për një rast të tillë ka rënë në pranga një person në Gjakovë, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se i dyshuari është Ermal Musliu, 21-vjeçar.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se Musliu ishte në llupën e Policisë, pasi i njëjti dyshohet se merret me shitjen e narkotikëve nga vendbanimi i tij.
Gjatë kontrollit trupor, të njëjtit i është gjetur dhe sekuestruar një sasi e substancës së dyshuar narkotike e llojit marihuanë, ndërsa i dyshuari u shoqërua në stacion policor për intervistim.
Me urdhër të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Posedimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge’.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.