Një rast delikat me prapavijë fetare është hapur sot në Podujevë, pas një veprimi të pazakontë që ka ndodhur në kishën ortodokse të fshatit Rakinicë, e cila rezulton të jetë mbyllur me dry nga persona të paidentifikuar.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se njësia policore që ka vizituar sot objektin fetar, ka konstatuar se në derën hyrëse është vendosur një dry, ndonëse vetëm një muaj më parë, më 9 prill, në të njëjtin vend nuk ishte raportuar asnjë parregullsi.
Sipas dyshimeve fillestare, ky dry është vendosur një ditë më parë nga klerikë serbë, të cilët kishin qenë për vizitë në kishë dhe më pas ishin paraqitur në stacionin policor të Podujevës, ku kishin deponuar kallëzim penal ndaj një kleriku shqiptar.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Nxitje e përçarjes dhe mosdurimit”, ndërsa janë njoftuar edhe njësitë hetimore rajonale.
Ky veprim, që ngre dyshime për tendencë provokimi në baza fetare, po trajtohet me seriozitet nga autoritetet, ndërsa Sinjali do të sjellë më shumë informacione sapo të ketë zhvillime të reja.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!