image Dyshimi në vete, gabimet dhe ndryshimet e mëdha – Brenda krizës te Manchester City

Futboll

Dyshimi në vete, gabimet dhe ndryshimet e mëdha – Brenda krizës te Manchester City

news image

Pep Guardiola nuk ka kaluar ndonjëherë një moment si ky gjatë karrierës së tij si trajner.

Manchester City ka humbur nëntë nga 12 ndeshjet e fundit – po aq humbje sa kishin pësuar në 106 ndeshjet e mëparshme.

Në fund të tetorit, City ishte ende i pamposhtur në krye të Premier League dhe favorit për të fituar titullin e pestë radhazi. Tani ata janë në vendin e shtatë, 12 pikë pas Liverpool-it që kryeson tabelën, edhe pse kanë luajtur një ndeshje më shumë.

Rënia dramatike e formës së ekipit ka lënë shumë njerëz të pyesin se çfarë ka ndodhur dhe nëse Guardiola mund ta rikthejë skuadrën në rrugën e duhur.

Stresi dhe vetëdyshimi i Guardiolës

Guardiola ka reflektuar shumë mbi situatën. Ai ka pranuar se nuk ka fjetur mirë dhe ndonjëherë nuk ka qenë vetvetja kur ka folur përpara mediave. Ai ka biseduar me shumë njerëz për të kuptuar arsyet e rënies së City-t. Disa arsye i di, disa të tjera ende jo.

Ajo që shumica nuk e kupton është se Guardiola gjithmonë ka dyshuar në veten e tij. Ai shpesh mendon: “Nuk do të jem në gjendje ta nxjerr ekipin nga kjo situatë,” dhe ka nevojë për mbështetjen e njerëzve të afërt për të kapërcyer këto pasiguri – një mbështetje që fatmirësisht e ka.

Arsyet kryesore të krizës

Një nga arsyet më të diskutuara është mungesa e mesfushorit të dëmtuar Rodri. Ekipet moderne si City varen shumë nga mesfushorët mbrojtës, dhe mungesa e Rodri-t ka qenë fatale. Plani B ka qenë të zëvendësohej me lojtarë si John Stones, Manuel Akanji, apo Nathan Aké, por edhe ata janë dëmtuar

Lista e gjatë e dëmtimeve dhe kalendari i ngarkuar kanë ndërlikuar më tej situatën. Gjithashtu, gabimet e pazakonta nga lojtarët me përvojë ndërkombëtare kanë qenë një faktor i paqartë.

Ndikimi te lojtarët dhe forma e tyre

Lojtarë si Kyle Walker, Kevin De Bruyne, Bernardo Silva dhe Jack Grealish nuk janë në formën e tyre më të mirë. Shumë prej tyre janë detyruar të luajnë më shumë ndeshje se sa planifikohej për shkak të dëmtimeve të tjera. Si pasojë, edhe Erling Haaland nuk po merr shërbimin e duhur për të shënuar gola.

E ardhmja e Manchester City-t dhe Guardiolës

Guardiola ka planifikuar të përdorë dy vitet e mbetura të kontratës së tij për të ndërtuar një City të ri. Ai tashmë është i vetëdijshëm se disa lojtarë duhet të largohen për të nisur një epokë të re. Në janar mund të ketë disa lëvizje, por ndryshimet më të mëdha priten në verë.

Një nga objektivat kryesorë të City-t është Martin Zubimendi i Real Sociedad-it, një mesfushor mbrojtës që mund të transferohet për rreth 60 milionë euro. Edhe nëse nuk e arrijnë atë, klubi do të synojë lojtarë të nivelit të lartë.

Një epokë e re për Manchester City po afrohet, dhe Guardiola është në qendër të këtij transformimi.

/GazetaSinjali/