Pacientja e cila po mbahet e izoluar në Klinikën Infektive të QKUK-së nën dyshimet për koronavirus është shtetase e Britanisë së Madhe e cila jeton në Kosovë.
Ajo së fundi kishte qëndruar në një qendër skijimi jashtë vendit. Nëpërmjet mediave ajo kishte dëgjuar për të prekur në po atë resort skijimi dhe për këtë arsye është lajmëruar për kontroll në QKUK.
Sipas mjekëve gjendja e pacientes është shumë e mirë. Në Klinikën Infektive ajo është pranuar me kollitje por pa temperaturë.
Britanikja e cila punon në Kosovë është ankuar për lodhje.
Rezultati do të tregojë nëse pacientja është e prekur nga koronavirusi, kanë thënë mjekët, sipas të cilëve, gjasat janë të vogla që ajo të jetë sulmuar nga sëmundja.
Ekspertët kanë zbuluar një sekuencë gjenetike të “coronavirus” 2019-nCon, që më parë nuk ishte e diagnostifikuar tek njerëzit. Viruset Corona njihen që në vitet 60-ta. Emri i virusit vjen nga forma kurorë nga jashtë e strukturës së proteinës që mbështjell virusin. Normalisht këto viruse nuk janë të pazakontë. Shpesh infeksionet me viruse të tilla janë të padëmshme, e kanë simptomat e gripit si temperaturë, kollë apo mbajtje fryme. Po ashtu mund të shfaqen edhe probleme me diarrenë.
Por “Coronavirus” është shumë i fshehtë dhe i tranformueshëm, ato janë pjesë e grupit të viruseve, RNA që shfaqin tipare të variabilitetit gjenetik. Kjo do të thotë se është e lehtë për ta të mposhtin barrierat dhe të infektojnë llojet e ndryshme ku strehohen. Si pasojë këta viruse shkaktojnë edhe sëmundje të rënda, infeksione të rënda mushkërish, bllokimin e frymëmarrjes deri edhe vdekjen.