Rreth 20 persona po trajtohen në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), pasi dyshohet se janë helmuar nga ushqimi i konsumuar në një lokal në Prishtinë.
Pacientët janë paraqitur me simptoma të ngjashme, përfshirë të vjella, temperaturë dhe probleme gastrointestinale, ndërsa mjekët po presin rezultatet laboratorike për të përcaktuar shkakun e saktë të gjendjes së tyre.
Shefi i ndërrimit në Klinikën Infektive, Izet Sadiku, ka bërë të ditur se numri i pacientëve është rritur gjatë ditës.
Ndërkohë, Policia e Kosovës ka konfirmuar se ka nisur hetimet për rastin.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana, për Sinjalin ka deklaruar se informacioni për dyshimet e helmimit është pranuar më 10 korrik dhe se menjëherë janë ndërmarrë veprimet e nevojshme në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe institucionet kompetente.
“Policia ka pranuar një informatë lidhur me dyshimin për helmim nga ushqimi të disa personave. Menjëherë janë ndërmarrë veprimet e nevojshme policore në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe institucionet përkatëse”, ka deklaruar Pllana.
Dyshimet e para lidhen me një sos të picave, ndërsa deri më tani rreth 20 persona janë paraqitur për trajtim në QKUK.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!