Dhjetra qytetarë të Deçanit që nga mbrëmja e së shtunës, po dhe gjatë ditës së djeshme kanë kërkuar ndihmë në QKMF, me dyshimet se ata janë helmuar nga uji i pijes.
KRU “Hidrodrini” njësia operative në Deçan ka dal sot me një njoftim shtesë, ku kanë bërë të ditur se janë marrë mostrat e ujit dhe të njëjtat i janë nënshtruar analizës laboratorike.
“Pas shqetësimeve të shfaqura nga banorët e fshatrave Prejlep, Rastavicë, Irzniq, Gllogjan, Shaptej, Gramaqel, Baballoq, Ratishë dhe Jasiq i ri, mbi dyshime për helmim shëndetësorë Ekipet e përbashkëta të KRU ‘Hidrodrini’, Njësia Deçan së bashku me staf të specializuar nga IKSHPK, respektivisht IRSHP-Pejë, gjatë tërë ditës së djeshme e deri mbrëmë vonë kanë marrë mostrat e ujit në fshatrat e sipërshënuar dhe të njëjtat i janë nënshtruar analizës laboratorike. Rezultatet janë në pritje dhe përpunim dhe të njëjtat do të barten zyrtarisht tek KRU ‘Hidrodrini’ për tu publikuar për opinion”, theksohet në njoftim.
Tutje ata u janë lutur konsumatorëve të fshatrave në fjalë të mos përdorin ujin për pije.
“Poashtu deri në arritjen e rezultateve, nuk mund të konstatohet asgjë në zbardhjen e dyshimeve për ujë të helmuar ose jo! Për të gjithë personat që kanë shfaqur shqetësime shëndetësore dhe simptoma. KRU ‘Hidrodrini’ uron ti tejkalojnë sa më shpejt duke ju kthyer shëndetit të plotë”, thuhet në njoftim./GazetaSinjali/