Ministria e Tregtisë, ditë më parë ka njoftuar se kanë vendosur në favor të qytetarëve të cilët janë ankuar ndaj shërbimeve dhe pagesave të realizuara në llogari të “VisaMetric” në emër të shërbimeve për aplikim për Visa Schengen për Gjermani. Anipse ky vendim u bë publik më 27 prill, qytetarët vazhdojnë të ankohen pë çmimet e shtrenjta dhe dyshime për “vjedhje” nga kompania “VisaMetric”.
Që nga shtatori Ambasada gjermane në Kosovë kishte njoftuar se terminet e vizave Schengen për udhëtim në Gjermani mund të rezervohen përmes ofruesit të jashtëm të shërbimit “VisaMetric”. Tash e shtatë muaj, qytetarët trokasin në derën e kësaj kompanie për të kryer shërbimet e nevojshme për t’u pajisur me vizë Schengen.
Ankesat e shumta nga qytetarët ndaj “VisaMetric”, vënë në lëvizje Inspektoratin e Tregut të cilët inspektuan zyret e kësaj kompanie.
“Inspektorati i Tregut në MINT ka bërë vizitë dhe është takuar edhe me drejtuesit e operatorit ekonomik “VisaMetric” L.L.C në Prishtinë, të cilët kanë shprehur gatishmërinë për bashkëpunim dhe ofrim të shërbimeve për konsumatorët, në pajtim me ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës, duke pranuar se do të bëjnë ri-mbursimin e konsumatorëve, që janë ankuar. Për shkeljet e konstatuara, Inspektorati i Tregut ka ndërmarrë veprime konform ligjeve të aplikueshme në Republikën e Kosovës”- thuhet në njoftimin e MINT.
Një sinjalizues ka denoncuar rastin në redaksinë e Gazetës Sinjali duke thënë se pavarësisht që është paraqitur njëherë për të dhënë shenjat e gishtërinjëve për vizë, ai dhe shumë qytetarë të tjerë janë ftuar sërish për procedurën e njëjtë.
“Të gjithë i kanë sjellë nga dy herë vetëm me arsyen për t’i marr shenjat e gishtave. Tani na detyrojnë me ardh përsëri”, tha sinjalizuesi.
Ky burim ankohet edhe për çmimet e larta që duhet paguar për shërbimet në këtë kompani.
“Nuk jane të përgjegjshëm fare. Edhe çmimet janë shumë të larta gjë e cila në ambasadë gjermane nuk ishte kaq shtrenjtë”, thotë sinjalizuesi.
Ndryshe, më 13 shtator 2022, ambasada gjermane lëshoi njoftimin se aplikimi për vizë do të mund të bëhet vetëm nëpërmjet VisaMetric, kompani e cila do t’i dërgojë më pastaj aplikacionet te ambasada për ekzaminim.