Fëmijë, të rinj dhe të moshuar po mbërrijnë në Serbi nëpërmjet linjave ajrore ku ky vendim erdhi pasi presidenti rus Vladimir Putin shpalli një mobilizim të pjesshëm të popullsisë, ku nisi edhe rekrutimi ushtarak.
Rusi Petar Nikitin, i cili jeton dhe punon në Beograd u shpreh për “Euronews Serbia” se shumë po largohen nga Rusia, sepse askush nuk u beson autoriteteve në Moskë se mobilizimi do të jetë i pjesshëm.
“Të paktën një e treta e popullsisë ruse është kundër luftës, ata nuk duan luftë dhe nuk duan që ushtria ruse të jetë në territorin e një vendi tjetër. Pritet që njerëzit të sabotojnë mobilizimin dhe se nëse shteti tenton të ushtrojë dhunë, do të ketë rebelime të rënda”, tha ai.
Ai shton se bashkatdhetarët e tij nuk kërkojnë siguri vetëm në Stamboll dhe Beograd, por edhe në Armeni, Gjeorgji, Azinë Qendrore, madje edhe Bjellorusi.
Agjencia amerikane ‘AP’ thekson se që nga pushtimi rus në Ukrainë, pothuajse 50 mijë rusë ikën në Serbi, ku hapën biznese të shumta, veçanërisht në sektorin e IT. Institucionet zyrtare nuk japin të dhëna të sakta se sa njerëz nga Rusia, por edhe nga Ukraina, gjetën strehim në Serbi, përcjell Sinjali.
Ndërkohë, biletat për fluturimet e Air Serbia në linjën Moskë-Beograd janë shitur gjatë gjithë muajit shtator dhe kompania serbe thotë se vetëm një numër i vogël ka mbetur për muajin tetor.