image Dyfytyrësia e AAK-së, favorizoi monopolin në praktikë, është kundër sa për fushatë

Kosovë

Taktizim/ Dyfytyrësia e AAK-së, favorizoi monopolin në praktikë, është kundër sa për fushatë

news image

Ndryshe në vepër e ndryshe me fjalë!

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës po shfaqet me dy fytyra sa i përket çështjes së monopolit, shkruan Gazeta Sinjali.

Përfaqësuesit e kësaj partie në Qeverinë Haradinaj kanë forcuar monopolin në praktikë duke favorizuar vetëm një kompani, ndërsa tani në kohë fushate zgjedhore shprehen se janë kundër monopolit që e praktikuan vetë.

“Ne jemi kundër monopolit, duhet me u hap tender, me apliku kompani të brendshme dhe të jashtme, ata që i plotësojnë kushtet d.m.th për me u marrë me këtë veprimtari duhet me marrë licencën, lejen edhe me operu në tregun e Kosovës”, ka deklaruar për Gazetën Sinjali, nënkryetari i AAK-së,  Muharrem Nitaj.

Por, ndryshe nga fjalët e Nitajt, Qeveria e udhëhequr nga AAK gjatë mandatit të saj nuk e ka bërë ndonjë hap në këtë drejtim. Përkundrazi, ministri në largim i Infrastrukturës, Pal Lekaj, nga AAK-së, ishte kujdesur që t’ia trashë monopolin kompanisë “Eurolab” duke i favorizuar Devollët. 

Përmes një vendimi të datës 17 janar 2019, ministri Lekaj kishte obliguar që të evidentohen në bazën qendrore të të dhënave të Policisë së Kosovës të gjitha mjetet rrugore të përfshira në aksidente trafiku, pavarësisht llojit dhe lartësisë së dëmit. Ky vendim, në momentin e jetësimit të tij të plotë, detyron secilin qytetar i cili përfshihet në aksident trafiku që veturën e tij ta dërgojë sërish për homologim, pavarësisht nëse ka qenë viktimë apo shkaktar i aksidentit.

Ndonëse për këtë vendim, Pal Lekaj, nuk u deklarua asnjëherë, nënkryetari i AAK-së Muharrem Nitaj, e mbështet kolegun e tij të partisë, duke thënë se është logjike që të dërgohet vetura për homologim pasi të aksidentohet.

“Natyrisht se kur një veturë përplaset, duhet me çu dikund nëqoftëse i plotëson kushtet për me dalë prap në qarkullim ose jo. Aktualisht ne e kemi një kompani që e bën këtë punë. Mos me pas këtë kompani, sipas një logjike i bjen që bën ndeshje edhe s’mundesh me rregullu makinën”, tha Nitaj për Gazetën Sinjali.

Nënkryetari i AAK-së përpiqet që të shfajsohet për monopolin e krijuar në Kosovë me faktin se Qeveria e udhëhequr nga AAK ka pasur një marrëveshje të trashëguar para 10 vjetëve që i ka dhënë monopol një kompanie, por abstrahon faktin se qeveria e udhëhequr prej AAK-së ka pasur mundësinë ta luftonte këtë dukuri dhe nuk e ka bërë.

Rikujtojmë se monopoli në Kosovë është kundërshtuar edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë në Prishtinë.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, shkruante se monopoli bie ndesh me parimet e konkurrencës së drejtë dhe praktikave të BE-së ndërsa ambasadori i Gjermanisë në Prishtinë, Christian Heldt, shkruante se nuk po arrinë ta kuptojë logjikën e homologimit për veturat që vijnë në gjendje të rregullt nga Europa.

Gazeta Sinjali ka raportuar në vazhdimësi për çështjen e monopolit, i cili dëmton xhepin e qytetarëve të Kosovës. /Gazeta Sinjali/