Një i burgosur është gjetur mbrëmë i varur në grilat prapa derës së dhomës së qelisë së tij në Burgun e Dubravës. Bëhet fjalë për të burgosurin me inicialet F. I.
Përmes një komunikate drejtuar mediave, Shërbimi Korrektues i Kosovës ka njoftuar se për këtë rast janë suspenduar dy zyrtarë korrektues dhe menjëherë ka iniciuar procedurën disiplinore, me ç ‘rast ka ngritur edhe Komisionin Hetimor për ta hetuar rastin në fjalë.
“Shërbimi Korrektues i Kosovës, njofton opinionin publik se lidhur me vetëvarjen e të burgosurit F. I, SHKK ka suspenduar dy zyrtarë korrektues dhe menjëherë ka iniciuar procedurën disiplinore, me ç ‘rast ka ngritur edhe Komisionin Hetimor për ta hetuar rastin në fjalë”, thuhet në komunikatë.
23-vjeçari ka qenë në vuajtje të dënimit për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor” dhe siç ka raportuar Sinjali, ai ka qenë i dënuar me dy vite heqje lirie.