Një rast i dyshuar që kishte nisur në verën e vitit 2024 ka marrë tashmë epilog forenzik, pasi ekspertiza zyrtare ka konfirmuar se qindra euro të deponuara në një bankë në Prishtinë ishin të falsifikuara.
Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se më 8 gusht 2024, përfaqësues të një dege të një banke në Prishtinë kishin njoftuar Policinë lidhur me disa kartëmonedha të dyshuara si të falsifikuara, të cilat ishin deponuar nga persona të ndryshëm.
Sipas të dhënave të siguruara, vlera e përgjithshme e kartëmonedhave të dyshuara arrinte në 338 euro.
Pas pranimit të rastit, paratë janë sekuestruar dhe janë dërguar për ekzaminim në Agjencinë e Kosovës për Forenzik, ku janë kryer analizat profesionale për verifikimin e autenticitetit të tyre.
Burimet bëjnë të ditur se më 3 qershor 2026 ka përfunduar ekspertiza, e cila ka konstatuar se kartëmonedhat në fjalë janë të falsifikuara.
Pas pranimit të raportit forenzik, në konsultim me prokurorin e Krimeve të Rënda, rasti është rikualifikuar dhe është iniciuar zyrtarisht si vepër penale “Falsifikim i parasë”.
Aktualisht nuk janë identifikuar personat që qëndrojnë pas futjes së kartëmonedhave të falsifikuara në qarkullim, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbulimin e origjinës së tyre dhe identifikimin e të dyshuarve.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!