Dy persona të dyshuar janë arrestuar sot nga Hetimet Rajonale të Prishtinës, për një rast të rëndë që ndodhi më 1 janar 2025, në magjistralen Prishtinë-Ferizaj, pranë parkingut të biznesit “Hib Petrol”.
Ngjarja kishte përfshirë dy viktima dhe dy të dyshuar për veprën penale “Vrasje në tentativë”.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, në vendngjarje ishin përfshirë dy viktima, të cilët kishin pësuar lëndime serioze dhe ishin dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.
Ngjarja dyshohet të ketë përfshirë një veturë të tipit Audi, me targa të pjesshme “05-635-?”.
Në vendin e ngjarjes kishte arritur njësia e patrullës policore, e cila siguroi skenën e krimit dhe nisi mbledhjen e provave. Prokurori kujdestar autorizoi fillimin e rastit si “Vrasje në tentativë”, ndërsa hetimet u transferuan tek njësia për Hetime Rajonale të Prishtinës.
Pas hetimeve intensive dhe mbledhjes së provave të nevojshme, dy të dyshuarit u arrestuan pasi ngarkohen për veprat penale si: “Vrasje në tentativë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Dy të dyshuarit janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës dhe më pas, me vendim të Prokurorit, janë ndaluar për 48 orë.