Dy persona janë arrestuar në fshatin Gorazhdec të Pejës në kuadër të një operacioni policor që lidhet me dyshimet për ndërhyrje në procesin zgjedhor.
Lajmin e ka konfirmuar për Sinjalin Policia e Kosovës, e cila ka bërë të ditur se aksioni është zhvilluar në koordinim me Prokurorinë kompetente.
Sipas zëdhënësit të Policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, gjatë operacionit janë realizuar dy bastisje në një lokacion, ndërsa personat e dyshuar janë shoqëruar në stacionin policor për intervistim.
“Në bastisje kanë marrë pjesë njësitet relevante të policisë. Personat e ndaluar janë dërguar në stacionin policor në Pejë për procedura të mëtejshme hetimore”, ka deklaruar Gashi.
Autoritetet nuk kanë bërë të ditura ende detaje shtesë lidhur me natyrën e dyshimeve apo provat e siguruara gjatë aksionit, ndërsa kanë paralajmëruar se informacione të tjera do të publikohen pas përfundimit të veprimeve hetimore.
Rasti po trajtohet nga organet kompetente dhe lidhet me ruajtjen e integritetit të procesit zgjedhor.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!