Organizatat joqeveritare që merren me monitorimin e sistemit të drejtësisë në Kosovë, janë të gatshme t’i dërgojnë përfaqësuesit e tyre, për të qenë pjesë e Grupit punues të themeluar nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës, për hartimin e koncept-dokumentit për një ligj për vetting në sistemin e drejtësisë, thonë përfaqësuesit e Institutit Demokratik të Kosovës, Grupit për Studime Juridike dhe Politike si dhe të Institutit të Kosovës për Drejtësi.
Ministrja e Drejtësisë në Qeverinë e Kosovës, Albulena Haxhiu, ditë më parë ka theksuar se u ka dërguar ftesë organizatave joqeveritare, që të dërgojnë përfaqësuesit e tyre për të qenë pjesë e këtij grupi punues të brendshëm.
Përfaqësuesit e organizatave joqeveritare, që kanë konfirmuar pjesëmarrjen në grupin punues, vlerësojnë që marrë parasysh gjendjen jo të mirë në sistemin e drejtësisë, madje, siç thonë ata, edhe mbi bazën e vlerësimit të zyrtarëve shtetërorë, ky sistem ka nevojë për një proces vetting-u, që e pastron atë nga njerëzit pa integritet, që nuk janë të zellshëm dhe të përgjegjshëm në punën e tyre.
Çështja e vetting-ut, siç theksojnë ata, është iniciuar tash e disa vite dhe faza e parë e diskutimit për nevojën e këtij procesi, tashmë është konsumuar dhe mbetet vetëm që të hidhen hapat konkretë drejt zbatimit.
Florent Spahija, ekspert për çështje ligjore në Institutin Demokratik të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë, se sugjerimet e këtij instituti janë që vetting-u mund të kryhet në dy mënyra.
Sipas tij, mënyra e parë është vetting-u i tërësishëm, i cili përfshin edhe ndryshimet kushtetuese, ndërsa mënyra e dytë, është ajo e vetting-ut të përhershëm, që nënkupton që çdo pesë vjet, gjyqtari, prokurori apo zyrtarë të tjerë që punojnë në administratën gjyqësore, t’i nënshtrohen këtij procesi. Për më shumë, sipas tij, autoritetet shtetërore duhet të zgjedhin formën për të arritur deri te përligjja e procesit të vetting-ut.
“Ajo që është shumë e rëndësishme, është që tash, me koncept-dokumentin, Ministria (e Drejtësisë) duhet të vendosë se kah dëshirojmë të shkojmë, pra, opsionin që dëshirojmë ta ndjekim. Unë konsideroj që më e mira e së mirës, është që të bëhen ndryshime kushtetuese dhe të bëhet një reformë rrënjësore, në kuptimin e vetting-ut rrënjësor, për secilin gjyqtar dhe prokuror, madje edhe për stafin administrativ brenda sistemit të drejtësisë”, theksoi Spahija.
Pikërisht çështja se cilën rrugë duhet të ndjekë Ministria e Drejtësisë për hartimin e koncept-dokumentit për vetting-un, është një nga shkaqet kryesore pse udhëheqësja e kësaj ministrie, Albulena Haxhiu, i ka bërë ftesë ditë më parë shoqërisë civile për të marrë pjesë në grupin punues të brendshëm për hartimin e koncept-dokumentit.
“Do të doja që ta shihja edhe kontributin e juaj (shoqërisë civile) në këtë drejtim dhe kjo ka të bëjë me atë se vetting-u në sistemin e drejtësisë, a duhet të bëhet me ndryshime kushtetuese apo vetëm me ndryshime ligjore”, ka thënë ministrja Haxhiu.
Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë që ky grup avokon që procesi i vetting-ut të bëhet përmes kalimit të një amendamenti kushtetues në Kuvendin e Kosovës, sepse kjo do të mundësonte një proces të plotë dhe të thelluar të verifikimit.
“Mënyra e dytë, do të ishte vetëm përmes ndryshimit të Ligjit për procedurën disiplinore, i cili do të shfuqizohej në legjislacionin ekzistues, ashtu që vetting-u i gjyqtarëve dhe prokurorëve të garantohet si proces i vazhdueshëm dhe i fortë disiplinor. Mirëpo, kjo nuk do ta kishte ecurinë e njëjtë sikur një gjë e tillë të realizohej me një amendament kushtetues”, theksoi Hoxha.
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, në një bisedë me Radion Evropa e Lirë, thotë që procesi i vetting-ut, nëse synohet që të bëhet në bazë të asaj që përcaktojnë standardet ndërkombëtare që garantojnë sigurinë juridike, lejohet vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese.
“Kjo nënkupton se kjo nuk është zgjedhje apo ‘fontanë dëshirash’ që të bëhet me ligj apo me akte të tjera. Kjo është garanci kushtetuese, e cila domosdo kërkon që në radhë të parë, të bëhet amendamenti kushtetues dhe pastaj Ligji për vetting-un. Instituti i Kosovës për Drejtësi është gjithmonë në favor të asaj që të ruhet siguria juridike dhe të promovohen dhe respektohen të drejtat që janë të garantuara me Kushtetutë. Andaj, e vetmja mënyrë që mandati i një gjyqtari dhe prokurori të merret, në bazë të asaj që mund të përcaktojë vetting-u, është se kjo në radhë të parë të përcaktohet në Kushtetutë e pastaj në ligje të tjera”, theksoi Miftaraj.
Për amendamentimin e Kushtetutës është e domosdoshme shumica parlamentare ose dy të tretat e votave të 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe dy të tretat e votave të 20 deputetëve të komuniteteve joshumicë.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka shfaqur dyshime lidhur me një konsensus të mundshëm parlamentar për amendamentimin e Kushtetutës lidhur me vetting-un.
“Pra brenga ime në këtë drejtim, është nëse nuk kalon amendamenti kushtetues, ndonëse konsensusi paraprak në këtë proces është shumë i rëndësishëm”, ka theksuar Haxhiu.
Por, Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës, konsideron që nëse dëshirohet që të shkohet drejt një vetting-u të plotë, në Kuvend të Kosovës duhet dhe mund të arrihet shumica parlamentare.
“Duhet me patjetër të kemi ndryshime kushtetuese, për shkak se mund të shkelim Kushtetutën, përkatësisht nenet të cilat japin të drejta për gjyqtarët dhe prokurorët dhe të cilat nene më pas preken nga vetting-u. Kjo, për vet faktin se kontrollin për gjyqtarë dhe prokurorë, mund ta bëjnë vetëm Këshillat (gjyqësorë dhe prokurorialë) dhe nëse ne e bëjmë një mekanizëm apo trup jashtë këtyre këshillave, atëherë i bie që nuk jemi në një vijë me Kushtetutën e Kosovës”, theksoi Spahija.
Por, Rreze Hoxha nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike, shprehet skeptike lidhur me mundësinë e arritjes së një konsensusi parlamentar për ndryshimet kushtetuese për vetting-un.
“Nëse e bëjmë me amendament kushtetues, është vetting i plotë me një fushëveprim më të gjerë, fakte këto që e bëjnë pothuajse të pamundur për t’u realizuar në rrethanat politike në Kosovë. Mirëpo, kjo përgjegjësi i takon qeverisë, më saktësisht, që të arrijë të krijojë konsensusin e nevojshëm. Ne konsiderojmë që në këtë aspekt edhe partnerët ndërkombëtarë do të mund të ndihmonin, duke avokuar së bashku me shoqërinë civile lidhur me rëndësinë që kjo reformë të realizohet përmes një amendamenti kushtetues”, theksoi Hoxha.
Ehat Mifataraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thekson që plan-programet e fundit të partive politike, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lëvizjes Vetëvendosje dhe listës së Vjosa Osmanit, të gjitha ato në agjendë e kanë pasur procesin e vetting-ut.
“Andaj, në këtë aspekt, nuk e shoh të pamundur (amendamentimin e Kushtetutës) dhe nuk e shoh që partitë opozitare në njëfarë mënyre do ta kundërshtojnë një proces të tillë. I kemi edhe dhjetë deputetë nga partitë joshumicë, por besoj edhe nga Lista Serbe. Nëse do të kishim një konsensus të gjerë politik të partive shqiptare, gjithmonë duke marrë për bazë që ky proces do të jetë në koordinim të plotë edhe me partnerët ndërkombëtarë, atëherë edhe Lista Serbe nuk do të kishte rrugë tjetër, përveç se të bëhet pjesë e këtij procesi”, theksoi Miftaraj.
Instituti i Kosovës për Drejtësi, që mbikëqyr punën e institucioneve të drejtësisë, më herët ka vlerësuar se besimi i publikut në Kosovë ndaj institucioneve të drejtësisë është luhatur ndër vite, por asnjëherë nuk ka qenë në nivelin me të ulët sesa tash.
Ndikimet politike në sistemin e drejtësisë, janë përmendur nga përfaqësues të shoqërisë civile si pengesë për luftimin e korrupsionit në Kosovë.
Jo rrallë, nga organizatat joqeveritare, vetting-u është parë si proces që do të mund të ndihmonte luftën kundër korrupsionit në nivelin e lartë, për shkak se ekzistojnë shumë dyshime që brenda sistemit prokurorial dhe gjyqësor, ka prokurorë dhe gjyqtarë që janë pa merita aty dhe pa integritet./Gazeta Sinjali/