image "Dy prej tyre janë të motrës", Naser Hafizi ka deklaruar se s'është e vërtetë që posedon katër banesa

Drejtësi

“Dy prej tyre janë të motrës”, Naser Hafizi ka deklaruar se s’është e vërtetë që posedon katër banesa

news image

Borxhi që operatorët ekonomikë kishin ndaj Autoritetit Rajonal të Pellgjeve Lumore në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës ishte afër 20 milionë euro. Mirëpo, ushtruesi i detyrës së drejtorit të këtij Autoriteti, Naser Hafizi dyshohet se kundërligjshëm ka iniciuar nxjerrjen e vendimeve për zvogëlimin e borxheve.

Sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, kjo dyshohet se u bë me qëllim që të përfitojë për vete dhe personave të tjerë, duke i shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës.

Në vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Naser Hafizi duke e ditur se pasuria e tij buron nga aktiviteti i paligjshëm dhe është e fituar me kryerjen e veprës penale, me qëllim të fshehjes së burimit të vërtetë të pasurisë, të hollat, paratë kesh i ka futur në sistemin bankar me qëllim që këto para të kundërligjshme të duken si të ligjshme.

Po ashtu, sipas vendimit, Hafizi nga viti 2018-2024 ka deponuar 109,370.00 euro, ashtu që më 2022 ka deponuar në kesh 31,640.00, ndërsa më 2023 i ka deponuar 51,070.00 euro, si dhe shuma të tjera në vite të ndryshme.

“Ka bërë deponime përmes llogarive bankare të familjarëve të tij, kinse si kursim, huazim apo dhuratë nga personat tjerë një pjesë të huazimeve i ka kthyer në kesh edhe pse i ka marr me transferim bankar, pastaj e ka kryer shtresimin – fshehjen e origjinës se tyre përmes transfereve bankare, me qëllim që në fund t’i integroj duke i konvertuar e maskuar në emra të personave tjerë në asete të luajtshme dhe të paluajtshme”.

Hafizi thuhet se ka të hyra mujore 732 euro, kurse bashkëshortja e tij të hyra mujore ka 540 euro, të cilat nuk mund të arsyetohen me pasurinë e paluajtshme të cilën e ka krijuar ai gjatë kësaj periudhe (2018-2023).

Në anën tjetër, Hafizi në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, ka qenë i detyruar të bëjë deklarimin e pasurisë, por që dyshohet se nuk kishte paraqitur saktë të dhënat e kërkuara.

Përkatësisht, për vitin 2020 nuk ka deklaruar banesën në rrugën “Bill Klinton”, edhe që më 2022 kishte blerë një banesë tjetër në Fushë Kosovë dhe nuk e ka deklaruar një banesë që e kishte blerë më 2023, e që e kishte obligim ta deklarojë më 2024.

Në seancën dëgjimore, Naser Hafizi ka deklaruar se qëndron prapa deklaratave të avokatit të tij, duke shtuar se kishte dëgjuar shumë të pavërteta nga ana e PSRK-së.

Ai ka thënë se nuk është e vërtetë që posedon katër banesa, ashtu siç ka dalë në media dhe se sipas tij, dy prej këtyre banesave janë të motrës së tij, raporton Betimi për Drejtësi.

/GazetaSinjali/