image Dy orët e tmerrit ne burgun e Peqinit, dalin detaje nga droni e deri te vrasja e të dënuarit në qelinë e burgut

Shqipëri

Dy orët e tmerrit ne burgun e Peqinit, dalin detaje nga droni e deri te vrasja e të dënuarit në qelinë e burgut

news image

Një i vrarë dhe një i plagosur. Ky ishte bilanci i ngjarjes së rëndë që u shënua ditën e sotme, në burgun e sigurisë së lartë në Peqin.

Në mesditën e kësaj të premte, teksa kanë qenë në ajrosje, Sokol Mjacaj ka qëlluar në drejtim të Arben Lleshit me një armë zjarri. Ky i fundit ngeli i plagosur, por nuk arriti tu mbijetonte dot plagëve, duke humbur jetën në spital. Ndërkohë që Indrit Shaqja, i cili ka tentuar që të mbrojë viktimën, ka mbetur i plagosur dhe aktualisht ndodhet në spitalin e Peqinit.

Arma e zjarrit, në burgun e sigurisë së lartë, mendohet se është futur nga ajri me dron, që e ka hedhur tek autori nga distanca. Për rreth dy orë, të dënuarit e tjerë, por edhe stafi kanë parë tmerr me sy, kjo për faktin se Sokol Mjacaj ka mbajtur peng stafin e kuzhinës.

Gardianët që ndodheshin aty, të pafuqishëm për të ndërhyrë dhe për të parandaluar përshkallëzimin e situatës, kanë njoftuar menjëherë forcat RENEA, të cilat pas disa minutash negociata arritën të neutralizojnë Mjacajn. Ky i fundit, për momentin ndodhet në drejtorinë e policisë në Elbasan, ku edhe po merret në pyetje nga prokurori.

Duke u bazuar në rrethanat e gjithë ngjarjes, që nga futja e armës së zjarrit me dron dhe deri tek ekzekutimi i Lleshit, një nga pistat që po hetohet është edhe ajo e porositjes nga jashtë.

Dyshohet se Mjacaj është paguar nga persona të tjerë, pikërisht për të ekzekutuar Arben Lleshin, i cili ishte i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje.

Viktima gjithashtu rezulton i dënuar nga drejtësia angleze me 32 vite burg për vrasjen e një bashkatdhetari, ngjarje e ndodhur disa vite më parë në Angli.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur në 10 prill të vitit 2012 kur Lleshi atëherë 27 vjeç, i njohur si shpërndarës droge në Angli, dogji të gjallë brenda në makinën e tij Agim Hoxhën 29 vjeç në Sauthempton.

Ndërkohë, Afrim Lleshi 39 vjeç i cili atëherë u akuzua si bashkëpunëtor në këtë krim makabër, është shpallur nga Gjykata i pafajshëm në lidhje me këto akuza. Lleshi u ekstradua drejt Shqipërisë në vitin 2016, ku u transferua për të vuajtur dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Peqin./albeu.com.

/GazetaSinjali/