Dy pjesëtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë përfunduar me sukses një nga programet e avancuara të edukimit ushtarak në Akademinë e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar në Shrivenham.
Major Afrim Xhelili dhe major Besnik Thaqi kanë përfunduar Kursin e Avancuar të Komandës dhe Shtabit (ACSC), ndërsa krahas kësaj kanë fituar edhe titullin Master në Studimet e Mbrojtjes nga King’s College në Londër.
Sipas FSK-së, ky program është i fokusuar në zhvillimin profesional të udhëheqësve ushtarakë për detyra komanduese dhe shtabore në nivele të larta. Kursi përgatit oficerët për planifikimin dhe drejtimin e operacioneve komplekse, bashkëpunimin me institucione vendore dhe partnerë ndërkombëtarë, si dhe menaxhimin e sfidave të sigurisë.
Në këtë program kanë marrë pjesë mbi 240 pjesëmarrës nga Mbretëria e Bashkuar dhe 47 vende të tjera të botës.
FSK ka vlerësuar se pjesëmarrja dhe diplomimi i oficerëve kosovarë në këtë akademi ndërkombëtare paraqet një dëshmi të përkushtimit për zhvillimin e një force moderne dhe profesionale, në përputhje me standardet ndërkombëtare të mbrojtjes.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!