Janë realizuar dy operacione ekstradimi në bashkëpunim me autoritetet gjermane, duke mundësuar transferimin e dy personave të dyshuar për çështje të ndryshme penale.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, më 15 korrik është ekstraduar nga Kosova drejt Gjermanisë një shtetas palestinez, i cili kërkohej nga autoritetet gjermane përmes një urdhër-kërkimi ndërkombëtar.
I dyshuari dyshohet se ishte i përfshirë në veprimtari kriminale që lidhen me kontrabandën e emigrantëve.
Ndërkohë, më 16 korrik është realizuar edhe ekstradimi i kundërt, ku një shtetas kosovar është kthyer nga Gjermania në Kosovë, pasi kërkohej nga organet e drejtësisë vendore.
Pas mbërritjes në Kosovë, personi i ekstraduar u është dorëzuar njësive përkatëse të Policisë së Kosovës në rajonin e Mitrovicës së Jugut, për të vazhduar me procedurat e mëtejshme ligjore.
Policia ka bërë të ditur se këto operacione janë realizuar falë bashkëpunimit ndërinstitucional mes autoriteteve të Kosovës dhe Gjermanisë, në kuadër të përpjekjeve për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!