image Dy dorëheqje - RTK-ja ende asnjë masë ndaj përgjegjësve që publikuan artikullin që sulmonte mediat

Kosovë

Dy dorëheqje – RTK-ja ende asnjë masë ndaj përgjegjësve që publikuan artikullin që sulmonte mediat

news image

Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së përgjithshme të televizionit publik të Kosovës, Zana Spahiu, ka njoftuar për vendimin e saj për të dhënë dorëheqje. Lajmin e konfirmoi RTK dhe ky zhvillim vjen disa ditë pasi televizioni publik transmetoi një pjesë të një artikulli të portalit boshnjak “Slobodna Bosna”, ku supozohet se disa media të caktuara në rajonin e Ballkanit i janë nënshtruar regjimit të Vuçiqit.

Në atë artikull janë përmendur edhe dy portale të Kosovës: “Nacionale” dhe “Periskopi”.

Në Kosovë ka pasur reagime rreth këtij artikulli, kryesisht për faktin që RTK-ja transmetoi një pjesë të tekstit dhe ai më pas është shpërndarë prej disa deputetëve të pushtetit.

E ndonëse janë bërë tri ditë që kur Bordi i RTK-së theksoi në një komunikatë se do të merren masa rigoroze ndaj përgjegjësve që publikuan “lajmin” në RTK, një gjë e tillë s’ka ndodhur akoma.

Përveç Spahiut, dorëheqje dje ka dhënë edhe Jeton Musliu, që ishte redaktor i lajmeve qendrore në RTK në natën kur aty u publikua lajmi skandaloz.

Përmes një postimi të gjatë, Musliu e ka akuzuar Rilind Gërvallën, drejtor i televizionit në RTK, për presion të vazhdueshëm.

“Jo kolegë të RTK-së, por edhe mediave të tjera. Unë kam adresë. Distancohem nga veprimet, presioni i vazhdueshëm dhe gatishmëria e drejtorit aktual të TV-së, z. Rilind Gërvalla si dhe U.d Kryeredaktores Leonora Bërbatovci, për të ndërhyrë në edicionin e Lajmeve Qendrore të RTK-së. Derisa e dyta edhe ka njëfarë të drejte për shkak të pozitës që mban, i pari nuk e ka asnjë të drejtë. Por që do, i pari presion tek e dyta dhe kjo tek i treti, në këtë rast redaktori i Lajmeve Qendrore.Më shpesh, hiq pa përfillur të dytën. Kur them presion, nuk bëhet vetëm me bërtima!” – ka shkruar ai.

Në anën tjetër, Gërvalla e ka quajtur Musliun gënjeshtar.

“Në RTK ka hierarki. Drejtori ka përgjegjësitë e veta programore për çdo sekond që transmetohet. Linkun ia kam dhënë, pos asnjeherë s’i kam thënë bëje, as s’ka asnjë lloj presioni asnjëherë nga unë. Presioni ndaj redaktorëve është stisje dhe gënjeshtër. Ne nuk kemi debatuar. Lajmi i ‘Slobodna Bosna’ ka qenë publik. Mua më vjen keq që një i dënuar për shpifje vazhdoka të njejtën gjë” – deklaroi me shkrim Gërvalla për “Kallxo”.

/GazetaSinjali/