E diela e fundit e muajit shtator dhe e diela e parë e muajit tetor janë datat më të përafërta kur pritet të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare në vend. Analistë e ish-deputetë thonë se zgjedhjet duhet të caktohen jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit, shkruan sot gazeta “Zëri”.
29 shtatori dhe 6 tetori i këtij viti mbeten datat më të përafërta për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë. Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, pas shpërndarjes së Kuvendit të Kosovës zgjedhjet e parakohshme caktohen nga presidenti jo më vonë se 10 ditë pas shpërndarjes.
Adnan Rrustemi, anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga Lëvizja Vetëvendosje, ka thënë se zgjedhjet mund të mbahen jo më herët se 30 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit dhe jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes. Ai ka thënë se janë duke e pritur presidentin që të caktojë datën e zgjedhjeve dhe si Komision pastaj do të fillojnë me organizimin e tyre.
“Me shpërndarjen e Kuvendit është e qartë se procesi zgjedhor është hapi i parë. Presidenti ka fatin e tij për të caktuar datën e zgjedhjeve, por ajo nuk mund të jetë më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së Kuvendit dhe jo më herët se 30 ditë. Ne presim që presidenti ta dekretojë datën e zgjedhjeve dhe ndaj afateve të rrjedhin edhe aktivitetet në kompetencë të KQZ-së, e cila menjëherë do t’i miratojë planet operative, buxhetin e nevojshëm dhe do t’i fillojë përgatitjet. KQZ-ja është e gatshme dhe ka përgjegjësi për zgjedhje”, ka thënë ai.
Rrustemi ka deklaruar se në momentin që presidenti do të marrë vendim për datën e zgjedhjeve, KQZ-ja do të fillojë edhe komunikimin me institucionet tjera, derisa ka thënë se nuk do të kenë asnjë pengesë, ndonëse në Komision u mungon një anëtar nga koalicioni PAN.
“Ne presim organizim të mirë dhe pjesëmarrje të madhe të votuesve në këto zgjedhje. KQZ-ja është funksionale dhe ka anëtarë të mjaftueshëm për vendimmarrje. Mungon një anëtar nga koalicioni PAN për arsye të raporteve të tyre të brendshme, por kjo nuk e pengon punën e KQZ-së edhe pse mirë do të ishte të kompletohej KQZ-ja”, ka thënë ai.